PLAYOUT: KALAJA-BOREA
Arritje historike, Kalaja në Superligë
2 May, 2018 @20:56
Qyteti i Prizrenit prej stinorit të ardhshëm do të ketë dy ekipe në Superligë të Kosovës në basketboll.
Kalaja nuk ka lejuar befasi nga Borea sonte, dhe me fitore edhe në ndeshjen e dytë, ka siguruar për herë të parë në histori të klubit pjesëmarrjen në elitë të basketbollit kosovar, duke arritur fitore edhe në ndeshjen e dytë të PlayOutit, 99-80.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Amerikani Xavier Newson ka qenë më efikasi në ndeshje sonte, i cili shënoi 30 pikë për ekipin e Kalasë, ndërsa shtoi edhe 5 kërcime.
Kontribut të madh në fitoren historike të ekipit prizrenas dha edhe Ujkan Karanezi që përfundoi ndeshjen me double-double prej 28 pikëve dhe 12 kërcimeve, kurse 25 pikë të tjera shtoi Edmond Kryeziu.
Te Borea, që i kthehet Ligës së Parë, më efikasi ka qenë Bujar Çeku me 22 pikë, ndërsa 19 pikë tjera të Qëndrim Gashit, e 17 të tjera të Allen Idrizajt nuk mjaftuan për të mbajtur ekipin në Superligë.
STINORI 2018/19
Me këtë, Superliga ka kuptuar edhe ekipin e fundit për stinorin 2018/19, ku Prizreni do të ketë dy ekipe, duke pasur parasysh Bashkimin dhe Kalanë, ndërsa Pejës i largohet një skuadër, pasi që Borea nuk arriti të mbajë statusin elitar, e aty mbeti vetëm KB Peja.