TOTTENHAM - ARSENAL

Arsenali s’ndalet, drejt titullit pas 19 viteve?
15 January, 2023 @19:25
Ndonëse jemi ende në mesin e sezonit, Arsenali i Mikel Artetës po e forcon gjithnjë e më tepër statutin e favoritit për ta fituar titullin në Premier League. Pak kush e parashikonte këtë para se të fillonte sezoni, e tash, në mesin e sezonit, Arsenali me plot meritë po e kryeson bindshëm ligën.
Nëse e fiton, ky do të ishte titulli i parë kampion për Arsenalin pas 19 viteve, me të fundit që daton në sezonin 2003/2004, sezoni i “The Invincibles”.
Sot “The Gunners” e fituan derbin e Londrës Veriore ndaj Tottenhamit me rezultat 0-2, rezultat i cili erdhi falë një pjesë të parë fantastike në të dyja repartet e më pas një pjesë të dytë tejet të mirë në aspektin mbrojtës.
I mbivlerësuari Hugo Lloris ishte fajtor për golin e parë të pësuar të Tottenhamit, pasi që e çoi vetë në rrjetë topin e ardhur nga Saka, e më pas për 0-2 u përkujdes Odegaard me një super-goditje nga distanca.
Në pjesën e dytë, Tottenhami u zgjua nga gjumi, ashtu siç ka bërë shumë shpesh gjatë këtij sezoni, dhe luajti më mirë, por mysafirët e menaxhuan mirë epërsinë dhe e mbyllën takimin me fitore. Meritor për mbajtjen e portës së paprekur ishte padyshim edhe portieri Ramsdale, që zhvilloi një paraqitje individuale mjaft të mirë.
Tash, Arsenali ka 8 pikë më shumë se City i vendit të dytë, ndërkohë që Contes nuk duket se do t’i zgjasë shumë drejtimi i Tottenhamit. Mbase një rikthim i Pochettinos mund të ndodhë...