AS PRISHTINA - DRITA
AS Prishtina fiton derbin ndaj Dritës
30 October, 2020 @22:14
Skuadra e AS Prishtinës e mposhti Dritën me rezultat të ngushtë 77-75 në ndeshjen hapëse të Ligës së Parë në basketboll.
Sekondat e fundit në këtë ndeshje ishin dramatike, ngase Drita në 2 minutat e fundit ishte në disavantazh prej 6 pikëve, ku e zbritën këtë deri në 1 pikë.
Pesë sekonda para përfundimit të ndeshjes u faulua fundori i AS Prishtinës, Don Polloshka. Ai nga dy gjuajtjet e lira shënoi njërën, derisa në sekondat e mbetura Drita nuk arriti të bëjë më shumë dhe skuadra prishtinase e regjistroi fitoren e parë të stinorit.
Rron Kurti ishte koshashënuesi më i mirë te AS Prishtina me 19 pikë, derisa u ndihmua edhe nga Don Polloshka me 15 pikë, 7 asistime e 5 kërcime.
Në anën tjetër te Drita u dalluan Driton Sylejmani me 20 pikë, Rinor Ahmeti me 16 pikë dhe Bardh Jakupi me 13 pikë të tjera.
AS Prishtina në xhiron e dytë do të përballet me Prishtinën e Re, kurse Drita e pret në Gjilan skuadrën New Basket.