TRAJNERI I PEJËS
Baş: Synimet janë t’i fitojmë finalet
1 September, 2021 @23:46
Trajneri i Pejës, Şemsettin Baş, në deklaratën e tij pas ndeshjes së fituar ndaj Prishtinës ka thënë se ekipi i tij ka arritur fitoren ndaj kundërshtarit shumë të mirë falë lojës pak më të mençur dhe përvojës.
“Kemi nisur vonë përgatitjet. Kemi luajtur mirë. Në çerekun e parë ishim të mirë, të dytën ramë. Të tretën u ngritëm kur morrëm energjinë, ndërsa të katërtin çerek, përsëri ramë,” ka thënë ai në fillim.
“Prishtina ishte shumë e mirë, shumë vraponin. Tranzicionin shumë e mirë e luajtën. Ne, me pak më shumë mend dhe me më shumë përvojë fituam. Jam i lumtur, por s’jemi ende gati,” ka theksuar Baş.
Ndërsa kur u pyet për rënien e ekipit nga loja dhe afrimin e Prishtniës në rezultat, ai tregoi arsyen për këtë.
“Pas lëndimit të Lisit ne nuk arrinim të shënonim nga brenda. Të gjitha pikët duhej të vinin nga jashtë. E kur gjuajtjet nuk hynin në kosh, atëherë gjithçka u vështirësua. Pa Lisin ishte vështirë, pasi që edhe kanadezi i ardhur [Matthew Neufeld] është vetëm 7 ditë këtu dhe nuk e din ende as aksionin e ekipit e as sistemin. Me Lisin do të ishte gjithçka më lehtë, pasi që ai ka qenë nga fillimi i stërvitjeve këtu,” shpjegi trajneri turk i Pejës.
Ndërsa sa i përket sezonit në vijim ai ka qenë i qartë në objektiva.
“Ne duhet të futemi në sistem. Qëllimi është gjithmonë fitorja në finale. Të gjitha ato do t’i provojmë t’i fitojmë,” ka thënë në fund Baş.