TRAJERI I PRIZRENI-16
Rifati: Shpresojmë finalen
1 September, 2021 @22:49
Trajneri i KB Prizreni-16, Arbnor Rifati, është treguar të jetë i kënaqur nga ekipi i tij pas ndeshjes së parë sezonale, që çoi skuadrën e tij në gjysmëfinale të Superkupës.
Ai në prononcimin e tij pas ndeshjes ndaj Dritës ka treguar se kundërshtari nuk ishte i barbartë dhe më shumë ka pasur brenga që të mos lëndohet ndonjëri nga lojtarët e tij.
“Kundërshtari nuk ishte i barabartë. Kam pasur më shumë brenga mos po lëndohet ndonjë lojtar i ekipit tonë. Fitorja natyrisht që është e rëndësishme, pasi që për këtë kemi hy në fushë. Nuk ka qenë test i vështirë ky, ndërsa jam i kënaqur me lojtarët. Presim gjysmëfinalistin tjetër dhe shpresojmë finalen. Si gjithnjë, do t’i ndjekim majet,” ka thënë fillimisht Rifati.
Kundërshtari i Prizrenit-16 në gjysmëfinale të Superkupës do të jetë Peja, që e kishte eliminuar në PlayOff të stinorit të kaluar në ndeshjen e fundit të serisë, në tavolinë.
“KB Prizreni është aset i basketbollit kosovar. Sponsorët tanë janë racional. Klubi është në rrugë të mirë, do të kemi fjalën kryesore në basketbollin e Kosovës për vite me radhë. Përndryshe konsideroj se jemi kampionë moral të stinorit të kaluar. Do të jemi arrë e fortë për secilin kundërshtar që na del përpara,” ka shtuar ndër të tjera trajneri prizrenas.
Dueli Prizreni-16 - Peja do të zhvillohet më 3 shtator 2021 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve me fillim prej orës 16:00. Peja mposhti Prishtinën sonte për të arritur gjysmëfinalin ndaj Prizrenit.
E Rifati nuk harroi të falenderojë zyrtarët e Komunës së Suharekës, që ua ka hapur dyert për të ushtruar në palestrën e tyre, pasi që palestra Sezai Surroi e Prizrenit, nuk është në dispozicion të klubeve sportive dhe sportistëve, për shkak se aty po kryhen vakcinimet për ta luftuar pandeminë coronavirus.