TRAJNERI I DRITËS
Bislimi: Kundërshtari i konsoliduar, ne pa ambicie këtu
1 September, 2021 @22:28
Trajneri i Dritës së Gjilanit, Arben Bislimi, në prononcimin e tij pas ndeshjes së humbur nga Prizreni-16 ka thënë se ekipi i tij ka qenë pa ambicie në këtë garë dhe kanë ardhur sa për të madhështuar turneun.
Mirëpo, ai ka bërë të ditur ndër të tjera se ekipi do të përforcohet shpejt me 3-4 lojtarë të huaj për tu bërë konkurrent i denjë në Superligë, posa t’ia nis ajo.
“Patëm kundërshtar të fortë, ekip të kompletuar si taktikisht ashtu edhe fizikisht. Ata ishin më të mirë se ne. Ne ende s’jemi konsoliduar si duhet, por kemi provuar lojtarët vendorë dhe gjendjen e tyre fizike. Klubi ynë ka ardhur pa ambicie këtu. Kemi mbetur pak prapa dhe kemi ardhur të madhështojmë Superkupën si turne,” ka thënë Bislimi menjëherë pas ndeshjes.
Ndërkaq duke shpjeguar objektivat e klubit gjilanas, që këtë stinor iu kthye Superligës trajneri ka shtuar:
“Para fillimit të edicionit të ri të Superligës ne do të jemi gati. Jemi duke tentuar të sigurojmë 3-4 lojtarë të huaj dhe të jemi konkurrent në Superligë.”
Drita është mposhtur nga Prizreni-16 në përballjen çerekfinale të Superkupës së Kosovës që ka nisur sot, ndërsa gjilanansit me këtë janë eliminuar nga gara, derisa prizrenasit shkojnë në gjysmëfinale.