TRAJNERI I PRISHTINËS
Nazor: Kemi punë për të bërë
1 September, 2021 @23:32
Trajneri i ri i Prishtinës, Ante Nazor, ka thënë se ekipin i tij do të zhvillohet gjatë gjithë sezonit për tu bërë gjithnjë më i mirë.
Ai në deklaratën e tij pas ndeshjes së humbur ndaj Pejës, i ka uruar fitoren pejanëve, ndërsa ka thënë se janë treguar më të mençur në situata.
“Urime Pejës! Treguan lojë më të mençur sonte. Kemi pasur mundësinë, por nuk e shfrytëzuam atë. Jemi ekip i ri dhe kemi shumë punë për të bërë. Kjo ndeshje më tregoi se mund të luftojmë deri në fund,” ka thënë fillimisht ai.
Peja ka eliminuar Prishtinën nga Superkupa e Kosovës, duke e mposhtur në çerekfinale, ndërsa bardhekaltërit tash e tutje do të përgatiten për fillim të stinorit në Superligë.
Kroati Nazor ka treguar gjithashtu se në pjesëlojë i ka thënë lojtarëve gjëra bazike dhe mbrojtja është çelës.
“U thashë të luajnë secilën mbrojtje sikurse të jetë e fundit në ndeshje. Të rrotullojnë topin. Gjëra bazike. Kur jemi të mirë në mbrojtje, në kërcimet e mbrojtjes, aty është çelësi,” ka shtuar ai.
Kjo ka qenë ndeshja e parë zyrtare e Nazorit si trajner i Prishtinës, ndërsa sa i përket vazhdës së sezonit ai ka thënë thjesht se pret që ekipi i tij të zhvillohet dhe të bëhet gjithnjë e më i mirë.