FINALFOUR: RILSKI-BASHKIMI
Bashkimi arrin finalen historike
14 April, 2018 @19:13
SEKONDAT E FUNDIT TË NDESHJES
“Au, au, au… e pabesueshme”! kanë qenë fjalët e komentatorit të televizionit kombëtar bullgar, BNT, kur Aaron Moss u faulua 3 sekonda para fundit të ndeshjes, ndërsa Rilski udhëhiqte 71-70 ndaj Bashkimit, në gjysmëfinale të BIBL.
Amerikani Moss, ka qenë i ftohtë nga vija e gjuajtjeve të lira dhe ka shënuar në mënyrë rutinore dy herë radhazi për 71-72 në të mirë të Bashkimit, e në sekondat e mbetura, Rilski ka pasur një tentim shënimi prej gjysmës së fushës që nuk gjeti koshin e Bashkimit dhe ekipi prizrenas për herë të parë në histori të klubit arriti finalen e BIBL!
Bashkimi është duke përjetuar Final Fourin e parë në histori të BIBL, ndërsa pas kalimit të gjysmëfinales sot, do të luajë për titullin e kësaj gare ndaj Levskit.
SIPAS ÇEREKËVE
Sa i përket lojës, Bashkimi ka pasur çerek të parë më të mirë, e Rilski të dytin. Bashkimi në të tretin ka qenë përsëri më i mirë, e Rilski në të katërtin. Por, në momentet vendimtare, kur rezultati ndërrohej pas çdo sulmi, me pikët e Mossit, Bashkimi arriti historinë.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Moss ka përfunduar ndeshjen me 19 pikë, 9 kërcime e 4 asistime, ndërsa 15 pikë tjera ka shënuar Vincent Zollo, bashkë me 9 kërcime tjera.
13 pikë ka shtuar Eric Stutz, ndërsa 11 të tjera Mikaile Tmusic, në përballjen që çoi Bashkimin në finale.
Në anën tjetër, te Rilski, që ishte favorit thuajse absolut para ndeshjes, 18 pikët e Zlatin Georgievit dhe 17 të tjera të shënuara nga Yordan Bozov, nuk kanë mjaftuar për ekipin e Samokovit, vendas të Final Fourit.