SERIA E KOLUMNEVE PËR PLAYOFF (1)
Çerekfinalet e Euroligës: CSKA – Khimki
Shkruan: BLERIM MYFTIU
14 April, 2018 @8:32
Tanimë është bërë zakon dhe fenomen i rregullt i viteve të fundit në Euroligë, që CSKA-ja ta fillojë play-offin nga pozita e parë. Kështu ndodh edhe në stinorin aktual dhe rusët me bilancin prej 24 fitoresh dhe 6 humbjesh fillojnë një marshim të ri drejt titulli shijen e të cilit e kanë marrë për herë të fundit vetëm para dy vitesh, kurse vjet janë ndalur në gjysmëfinale nga kampioni i mëvonshëm dhe aktual, Fenerbahçe.
CSKA-ja e Moskës e filloi stinorin me pak ndryshime në tërësinë e skuadrës, por me një ndryshim të madh të veçantë. Organizatori shumëvjeçar i lojës, Miloš Teodosići, pas 6 stinorëve vendosi të largohet nga skuadra dhe shkoi në NBA, ashtu siç edhe pritej. Ishte pikëpyetje nëse Nando de Colo do të ishte ai i njëjti që u rrit në një yll dhe shënues brilant pranë Teodosićit, si edhe nëse do të gjendej një kalibër i ngjashëm me serbin. Zgjidhja u gjet në Sergio Rodríguezin, i cili provoi rikthimin për një vit në NBA (Philadelphia 76ers), por vendosi të kthehej në “oborrin” për të cilin është “kultivuar” – në Euroligë.
Por, fuqia kryesore e CSKA-së mbetet kompaktësia dhe fortësia e ekipit. Ekipi tanimë së paku në tri stinorët e fundit nuk ka ndryshuar. Përveç Rodríguezit të ardhur sivjet, De Colo, Fridzon, Vorontsevich, Higgins, Khryapa, Kurbanov dhe Hines janë bashkë kohë të gjatë. Prandaj, edhe pse de Colo paraqitet si lider që veçohet nga të tjerët, ndoshta për shkak të arritjeve të viteve të kaluara, ai në kuptimin statistikor është njëri prej shumë të tjerëve që e përbëjnë makinerinë. Kurbanovi ka arritur statistikat më të mira të sezonit, Vorontsevichi di të jetë në zjarr dhe t’i japë për shembull 5 treshe pa asnjë huqje Fenerbahçes në Stamboll, kurse Hines me 198 centimetrat e tij modest është një katërshe e pashmangshme e Euroligës që e ripërkufizon definicionin e qendrës së ulët!
Khimki, nga ana tjetër, udhëhiqet nga gjithçkaja e ekipit, Alexey Shved. Prapa vetes po e lë stinorin më të mirë, me 21.4 pikë për lojë, 643 pikë në total (rekord), 91 treshe (rekord) dhe 5.2 asistime për lojë. Natyrisht se ai nuk do të jetë në gjendje që krye më vete të dalë kundër makinerisë së CSKA-së, prandaj do t’i duhet ndihmë nga të tjerët për ta kompensuar mesatarisht 12 pikë më pak që Khimki shënon për ndeshje në krahasim me CSKA-në.
Përveç kompaktësisë së ekipit, përparësi tjetër e madhe e CSKA-së do të jetë përvoja në pjesën përfundimtare të stinorit. Që prej stinorit 2004-05, prej kur është filluar të luhet play-offi, ajo ka munguar vetëm një herë në të, kurse në Final Four është kualifikuar plot 12 herë (dy herë ka dalë kampione). Statistika e ndeshjeve të zhvilluara është mbresëlënëse – 32 fitore dhe 8 humbje, kurse në fushën e vetë në 23 ndeshje është mposhtur vetëm një herë.
Ky do të jetë ballafaqimi i 100-të i këtyre dy ekipeve. Do të jetë ballafaqimi i parë i dy klubeve ruse në mes vete në play-offin e Euroligës. Edhe historia është në anën e moskovitëve, me atë që në 99 ndeshje të kaluara 81 herë kanë triumfuar. Kurse, që prej ardhjes së Dimitris Itoudisit në krye të CSKA-së, ajo ka shënuar 16 fitore dhe është mposhtur 2 herë.
Ky bilanc i historisë, statistikës, kompaktësisë ekipore e bën CSKA-në favorite të madhe në këtë ballafaqim dhe në saje të çmendurisë së Shvedit, bën që Khimki të shpresojë ndoshta në një fitore të vetme, por vështirë më shumë! Më shumë, do të ishte sensacion.
DATAT E NDESHJEVE:
17 prill | CSKA - Khimki | ||
19 prill | CSKA - Khimki | ||
25 prill | Khimki - CSKA | ||
27 prill | Khimki - CSKA | (në rast nevoje) | |
1 maj | CSKA - Khimki | (në rast nevoje) |