KB VËLLAZNIMI

Treshet që shpëtuan Vëllaznimin
12 April, 2018 @17:23
Pas fitores së shënuar ndaj Prishtinës së Re në xhiron që e lamë pas, klubi i Vëllaznimit e ka siguruar edhe zyrtarisht mbetjen në Ligën e Parë të basketbollit.
Gjakovarët e drejtuar nga Shkumbim Kumnova e evituan edhe barazhin, për të qenë kështu të sigurtë që edhe vitin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e Parë.
Një nga më meritorët për shpëtimin e Vëllaznimit padyshim që është basketbollisti Kreshnik Avdija, i cili pas rikthimit nga Rahoveci te Vëllaznimi në pjesën e dytë të sezonit, arriti të bëhet lojtari më i dalluar i skuadrës gjakovare në luftën për mbijetesë.
Avdija, 18-vjeçar, këtë gjysëm-sezon luajti me mesatare prej 26.5 pikëve për ndeshje, ndërsa në takimin vendimtar ndaj Prishtinës së Re, ai shënoi 36 pikë, prej të cilave 6 treshe. Në fakt, tre-pikëshat ishin një nga armët më të forta të lojtarit në fjalë, pasi që mesatarja e tij nga ky aspekt i lojës këtë sezon ishte 4.3 për ndeshje.
Pasi përfundimit të luftës për mbijetesë, i pyetur nga Borozani.com në lidhje me lojën e tij dhe shpëtimin e skuadrës, Avdija deklaroi:
“Ishte ndjenjë e mirë që të rikthehem në Vëllaznim, në ekipin ku jam zhvilluar si lojtar dhe padyshim që jam i lumtur që e ndihmova skuadrën në luftën për mbijetesë. Natyrisht, synimi i sezonit të ardhshëm është ngjitja në Superligë.”
Në lidhje me shpëtimin e Vëllaznimit për Borozani.com foli edhe Driton Rraci, kapiteni i gjakovarëve:
“Jam i lumtur që me përvojën time kam ndihmuar në motivimin e skuadrës dhe sidomos në aspektin mbrojtës të ekipit. Kemi luftuar deri në fund, kemi luajtur si skuadër dhe jam i lumtur që e arritëm synimin sezonal. Padyshim që vitin tjetër do ta synojmë Superligën.”
Sa i përket Ligës së Parë, në vendin e parafundit në tabelë ka përfunduar Prishtina e Re, e cila do të luajë në barazh, ndërsa vendi i fundit i ka takuar Megasportsit nga Prizreni.