SUPERKUPA E SHQIPËRISË
Teuta befason Tiranën, merr Superkupën
13 April, 2018 @15:37
Ekipi durrësak, Teuta, ka bërë befasi në finale të Superkupës së Shqipërisë në basketboll, duke e mposhtur Tiranën favorite me rezultat minimal për të marrë trofeun në det, pas afro 60 vitesh!
Rezultati përfundimtar i ndeshjes së zhvilluar në Ramazan Njala ka qenë 78-77 në të mirë të Teutës, që po drejtohet nga Boban Ninic, ndërsa Tirana e Antonios Doukasit pas mosarritjes së Final Fourit në BIBL, ka pësuar edhe goditjen e radhës para ndeshjeve të Play-Offit.
Marko Miranovic ka qenë më efikasi te Teuta në përballjen e Superkupës, derisa pas tij është renditur Alban Çela me 18 pikë. Amerikani i Teutës, Jerome Copes ka përfunduar ndeshjen me double-double, 12 pikë e 15 kërcime, duke mos pushuar fare në ndeshje.
Në anën tjetër te Tirana, performanca double-double e Endrit Hysenagollit, prej 19 pikësh e 16 kërcimesh nuk mjaftoi për fitore. 18 pikë për Tiranën shënoi edhe Genti Lasku, ndërsa Gerti Shima 14 të tjera.
Te femrat, Superkupën e fitoi Tirana, që mposhti Flamurtarin 72-59.