DERBI I XHIROS, SONTE

Dy dymbëdhjetëshet nga dueli i mëparmë, Qëndrim Biraj (Bashkimi) dhe Drilon Hajrizi (Peja)/ BOROZANI/ D.S.
Bashkimi pret Pejën perfekte
23 January, 2016 @11:11
Skuadra e Bashkimit të Prizrenit sonte në palestrën “Sezai Surroi” pret Pejën e pamposhtur deri tash në Superligë.
Ekipi prizrenas duket optimist para kësaj ndeshjeje dhe kërkon ta mposht Pejën, për tu bërë ekipi i parë i Superligës që e mposht atë në kampionat.
Sidoqoftë, në anën tjetër, Peja me gjithë seriozitet po kërkon të vazhdojë serinë e pamposhtshmërisë në Superligë dhe pas 13 fitoreve radhazi, dëshiron ta regjistrojë edhe të 14-tën.
Në fakt, Bashkimi është ekipi i vetëm që e ka mposhtur këtë stinor Pejën, nëse shikohen të gjitha garat. Ekipi i drejtuar nga Petar Mijovic i kishte shkaktuar një humbje Pejës në fillim të stinorit të ligës ballkanike, që ka mbetur të jetë disfata e vetme e verdhezinjëve nën drejtimin e kroatit Branimir Pavic.
Te Bashkimi, sonte pritet të debutojë para tifozëve të vetë përforcimi i ri i klubit portokall-e-zi, Yll Kaçaniku. Kaçaniku erdhi te Bashkimi, pasi që ishte liruar nga Sigal Prishtina dhe ndeshjen e parë e zhvilloi ndaj Yllit. Gjithashtu, pritet të debutojë edhe organizatori amerikan, Griffin Ramme, i cili erdhi në Prizren në fillim të muajit por ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për klubin. Ramme në momentin që erdhi te Bashkimi, ka qenë koshashënuesi më i mirë i ligës së Malit të Zi.
Në anën tjetër, edhe Peja pret një debutim në ekipin e saj. Nicholas Covington, organizatori amerikan i verdhezinjëve mund të debutojë sonte, pasi që ka disa ditë që ka arritur në “Karagaç”.
Në Superligë, bilanci është 2-0 për Pejën nga dy ndeshje të zhvilluara. Të takuara në një grup të ligës ballkanike, aty bilanci në duelet mes veti është 1-1.
Si do të jetë sonte, pritet të shihet nga ora 19, kur është përcaktuar të nis ndeshja derbi e xhiros që pritet të mbush palestrën.
Kjo ndeshje i është besuar treshes Daut Mehmeti, Xhelal Mumini dhe Xhavit Beqiri - që do të jenë ndarësit e drejtësisë.