BASHKIMI-RAHOVECI
BOROZANI/A.P.
Bashkimi shkel Rahovecin, 5 diskualifikime
15 November, 2017 @20:42
Bashkimi ka shënuar fitore shumë më të lehtë sesa që ishte paraparë ndaj Rahovecit sonte në Sezai Surroi, në përballjen që llogaritej si derbi i xhiros pasi që dy ekipet para kësaj ndeshjeje kishin bilanc të njejtë, 6 fitore e 3 humbje.
Mirëpo, një start fantastik i ekipit prizrenas dhe vazhdimi i lojës në mënyrën e njejtë bëri që gjithçka të përfundojë në pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë u luajt sa për të përmbyllur ndeshjen.
SIPAS ÇEREKËVE
34-7 në çerekun e parë, 19-9 në çerekun e dytë, ndërsa 30-12 në çerekun e tretë dhe çereku i katërt pak më i barabartë, çuan rezultatin përfundimtar në 112-54.
Në ndeshje u regjistruar edhe 5 diskualifikime, pasi që gjatë një momenti dyshja amerikane e Rahovecit Xavier Newson dhe Junious Prowell u shtye me dyshen mitrovicase të Bashkimit, Imer Tahiri dhe Samir Zekiqi.
Derisa ata i ndanë bashkëlojtarët, referi i përjashtoi të katërtit me faulime josportive nga ndeshja. Më parë ishte diskualifikuar edhe Muhamed Hasani pasi që kishte bërë një faul teknik dhe një josportiv.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Sa i përket ndeshjes, Samir Zekiqi shënoi 30 pikë prej të cilave 15 vetëm në çerekun e parë, ndërsa Daishon Knight dhe Urim Zenelaj përfundan takimin me double-double, sikurse edhe Jamar Hanner.
Knight shënoi 11 pikë, 10 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Zenelaj 11 pikë e 10 kërcime në fitoren e ekipit të drejtuar nga Fotis Takianos. Hanner shtoi 25 pikë e 13 kërcime.
Në anën tjetër, te Rahoveci, që ndjeu shumë mungesën e të larguar Kyle Sovine sonte, më të dalluarit ishin Junious Prowell me 14 dhe Mustafë Merovci me 13 pikë të shënuara.
Pas kësaj ndeshjeje Bashkimi ka bilanc 7-3, ndërsa Rahoveci 6-4.