Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ISH-LOJTARI I PEJËS, KALON TE BASHKIMI!

Bashkimi zyrtarizon qendrën Brad Waldow

Brad Waldow, duke shutuar gjuajtjet e lira në dhjetor të vitit të kaluar me fanellë të Pejës/ Foto: FBK

Bashkimi zyrtarizon qendrën Brad Waldow


14 November, 2023 @21:15

Skuadra e Bashkimit sonte ka zyrtarizuar edhe një përforcim. Pas Eduards Hazners, ekipi nga Prizreni ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me basketbollistin Bradley Waldow.

Qendra amerikane Waldow, është emër i njohur në basketbollin e Kosovës, pasi që lojtari në fjalë ka qenë pjesë e ekipit kampion në stinorin e kaluar, KB Peja. Ai nuk kishte vazhduar me klubin për stinorin e radhës, ndërsa kishte shkuar për të qenë pjesë e ekipit izraelit.

Mirëpo, për shkak të situatës së krijuar atje, ai është detyruar të largohet dhe tashmë duket se ka arritur marrëveshje me portokallezinjtë nga Prizreni.

Brad Waldow

Te Peja, Brad Waldow në stinorin e kaluar ka luajtur 36 ndeshje, ndërsa mesatarisht ka pasru 28 minuta për lojë, duke qenë ndër lojtarët kryesorë në garë për titullin kampion. Ai ka kryer stinorin me mesatare double-double, duke shënuar 11.8 pikë për ndeshje dhe duke bërë 10.8 kërcime në ndeshje.

“Kryesia e klubit tonë ka arritur marrëveshje me lojtarin e mirënjohur Bradley Waldow. Së bashku, po ndërtojmë rrugën drejt suksesit!” — ka shkruar njoftimi i shkurtër i KB Bashkimi, lëshuar pak më parë.

Bashkimi nuk ka nisur në më mënyrën më të mirë stinorin, ndërsa pas 8 ndeshjeve të para ka bilanc negativ me 3 fitore e 5 humbje dhe aktualisht po qëndron në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare.

Brad Waldow

Në xhiron e radhës Bashkimi do të jetë mysafir i Vëllaznimit. Këta të fundit kanë serinë më të mirë aktualisht në Superligë, prej katër fitoresh radhazi, derisa ia kanë shkaktuar edhe humbjen e parë Pejës në kampionat.

Bashkimi më parë gjatë ditës bëri të ditur se ka ndarë rrugët edhe me basketbollistin Valmir Kakruki. Kujtojmë, Bashkimi javë më parë zyrtarizoi edhe një ish-lojtar të Pejës, Isaiah Umipig.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga