EUROBASKET
Bavcic dhe Trajkovski e nisin me humbje Eurobasketin
5 September, 2015 @21:38
Dy basketbollistët të cilët në stinorin e kaluar ishin ndër bartësit e lojës së Sigal Prishtinës, boshnjaku Edin Bavcic dhe maqedonasi Bojan Trajkovski, kanë pësuar humbje në ndeshjet e tyre të para në Eurobasket.
Bavcic në ndeshjen ndërmjet Polonisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, e filloi ndeshjen nga pesëshja e parë, derisa për 20 minuta sa mbeti në fushë regjistroi 5 kërcime dhe 2 asistime, për të qenë i pamjaftueshëm për ta shpëtuar skuadrën e tij nga humbja që u mposht me rezultat 68-64.
Në anën tjetër, Maqedonia e Bojan Trajkovskit u tregua e plogësht përballë Greqisë duke u mposhtur me 20 pikë disavantazh 65-85. Trajkovski sikurse edhe Bavcic e nisi ndeshjen nga pesëshja e parë, ndërsa e përmbylli ate me 6 pikë dhe 3 kërcime.
Serbia kalon Spanjën
Në ndeshjen kryesore të ditës së parë të Eurobasketit që po organizohet në katër shtete të ndryshme të Europës (Kroaci, Francë, Gjermani dhe Letoni) u përballën dy superfuqi europiane të basketbollit, Spanja dhe Serbia.
Në fund fitores iu gëzua Serbia që triumfoi me rezultat 70-80, derisa Spanja u tregua e pafuqishme, pasi që në këtë kampionat po paraqitet me mungesa të shumta.
Nemanja Bjelica ishte më i miri tek serbët duke shënuar double-double me 24 pikë dhe 10 kërcime, kurse te Spanja u dallua Pau Gasol me 16 pikë, 5 kërcime dhe 4 bllokada.
Rezultatet e ditës
Polonia - Bosnja e Hercegovina | 68-64 | ||
Izraeli - Rusia | 76-73 | ||
Franca - Finlanda | 97 - 87 | ||
Gjermania - Islanda | 71-65 | ||
Spanja - Serbia | 70-80 | ||
Italia - Turqia | 87 - 89 | ||
Gjeorgjia - Holanda | 72-73 | ||
Maqedonia - Greqia | 65-85 | ||
Kroacia - Sllovenia | 80 - 73 | ||
Republika Çeke - Estonia | 80-57 | ||
Belgjika - Letonia | 67-78 | ||
Lituania - Ukraina | 69-68 |