PRISHTINA - KOZUV
Berisha optimist për fitore
20 October, 2015 @16:12
Sigal Prishtina të mërkurën (nesër) do ta zhvillojë ndeshjen e saj të parë si vendase në Ligën Ballkanike.
Ekipi nga kryeqyteti pas fitores në xhiron e parë kundër ekipit bullgar, Berore, synon që të krijojë seri të fitoreve me ndeshjen e radhës kundër Kozuvit.
Në lidhje me këtë ndeshje, ka folur përforcimi më i ri i bardhekaltërve, Dardan Berisha, i cili pritet të debutojë në këtë ndeshje.
“Ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë. Kozuvi ka ekip shumë të mirë dhe ne duhet të kemi kujdes të madh. Në anën tjetër ne kemi një skuadër të re dhe kemi nevojë për kohë për t’u komponuar. Megjithatë unë besoj se me ndihmën e tifozëve dhe me atmosferë të mirë do t’ia arrijmë qëllimit për të fituar,” tha Berisha, shkruan faqja zyrtare e FBK-së.
Berisha i është bashkuar Sigal Prishtinës vetëm pak ditë më parë, pas aventurës së shkurtër te skuadra kroate Cibona, me të cilën e shkëputi bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.
Ndeshja e nesërme ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Kozuvit do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë dhe do të fillojë nga ora 19:00.