EDHE PEJA NË BIBL

BIBL zyrtarizon Pejën si pjesëmarrëse për edicionin 2022/23
28 September, 2022 @23:12
Më në fund është zyrtarizuar edhe KB Peja si pjesëmarrëse në edicionin e ri të BIBL. Faqja zyrtare e Ligës Ballkanike ka bërë të ditur sot gjatë ditës se i dëshiron rikthim të mbarë Pejës në ligë, pas dy sezoneve, duke kujtuar që herën e fundit ata kanë qenë në pozitë të dytë gjatë stinorit të rregullt, që u ndërpre për shkak të COVID-19.
“Ekipi kosovar është i gatshëm përsëri të luftojë në skenë evropiane. KB Peja ka qenë e dyta në stinorin e rregullt të sezonit të ndërprerë 2019/20,” ka theksuar BIBL në njoftim.
KB Peja ka qenë pjesë e BIBL në pesë stinorë, ndërsa ka debutuar aty në vitin 2013. Verdhezinjtë përndryshe kanë nisur shumë mirë stinorin në Superligë, duke regjistruar 3 fitore nga 3 ndeshjet e para dhe këtë ecuri të mbarë dëshirojnë ta bartin edhe në Ligën Ballkanike.
Pos Pejës, nga Kosova këtë sezon pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe KB Bashkimi, ndërsa zyrtarizimin e tyre e kishte bërë më herët Liga Ballkanike.