MIQËSORE: BULLGARIA-MAQEDONIA

Bullgaria demolon Maqedoninë, para ndeshjes me Kosovën
28 July, 2017 @19:11
Maqedonia është mposhtur thellë sot nga Bullgaria, në miqësoren e fundit para ndeshjes së tyre kualifikuese ndaj Kosovës që zhvillohet më 2 gusht në Prishtinë.
Bullgaria është treguar e mprehtë në shutime për tre pikë dhe ka fituar me 22 pikë dallim, duke e mposhtur Maqedoninë me rezultat përfundimtar, 96-74 (22-28, 20-15, 28-19 dhe 26-12).
Bile, edhe mediat maqedonase kanë cekur se 19 treshe të pranuara nga reprezentacioni i tyre vënë në rrezik edhe ndeshjen ndaj Kosovës, pasi që parashikojnë se Kosova armë më të fortë ka shutat për tre pikë.
SHIKO: Orarin e ndeshjeve dhe Grupet kualifikuese
Derisa në turneun miqësor të javës së kaluar Maqedonia u dallua me mbrojtje të mirë dhe sulm të dobët, kësaj radhe në Botevgrad të Bullgarisë, ekipi ka qenë shumë më i dobët në mbrojtje, kanë theksuar në Sport-in maqedonas.
Më të dalluarit te Maqedonia në përballjen e posapërfunduar kanë qenë Janeski dhe amerikani i natyralizuar Theodore, që shënuan nga 14 pikë. Pas tyre janë dalluar Kostoski dhe Chekovski me nga 10 të shënuara.