YLLI - PRIZRENI
Çereku i fundit vendos fituesin në Suharekë
30 March, 2019 @18:38
Pas duelit të vështirë të fituar ndaj Rahovecit ditë më parë, Ylli ka kaluar edhe një pengesë të vështirë në rrugëtim për të vulosur vendin e dytë në klasifikim të stinorit të rregullt të Superligës.
Prizreni, që ishte shumë më i mirë se Ylli në çerek të parë [18-30] dhe arriti të ruajë epërsinë deri në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes, nuk i bëri ballë vendasve në çerek të fundit, ku pësoi 88-83.
Zbritjen e epërsisë Ylli ia nisi që prej çerekut të dytë [24-16] por epërsinë nuk e mori deri 9 minuta para fundit kur arriti të kap bardhezinjtë debutues në Superligë.
Garrius Holloman ka qenë i pandalshëm sot te Ylli. Ai kreu ndeshjen me 29 pikë, 11 kërcime e 4 asistime në fitore, ndërsa Leonard Mekaj shënoi 21 pikë e 5 asitime në fitore.
Malcolm Canada te Prizreni ka qenë në element edhe sonte. Njëzetë e tre pikët e tij, 4 asistimet e 6 kërcimet nuk mjaftuan për fitoren e skuadrës. Urim Zenelaj kreu ndeshjen me double-double prej 15 pikëve, 13 kërcimeve dhe 7 asistimeve, ndërsa Chris Waller është treguar mjaft i mirë nga banka sot, duke shutuar 3/4 për tre pikë, për të përfunduar ndeshjen me 13 të shënuara në 15 minuta lojë.
Kjo fitore bën bilancin e Yllit 18-7 tre xhiro para fundit të stinorit të rregullt, ndërsa Prizreni mund të humbas vendin e katërt të klasifikimit në stinor të rregullt, pasi që tash ka bilanc 12-13.
Në xhiron e radhës, Prizreni ka derbi ndaj Rahovecit, ndërsa Ylli do të tentojë ta njoftojë lideren me humbje!