TEAM OF THE WEEK 24
TOP 5-shja e javës në Superligë (XXIV)
29 March, 2019 @23:38
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros XXIV të Superligës së Kosovës në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtarëve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Malcolm Canada (Prizreni), Rilind Krasniqi (Prishtina), Drilon Hajrizi (Bashkimi), Frederick Richardson (Rahoveci) dhe Bambale Osby (Ylli).
Edhe pse Prizreni u mposht nga Bashkimi, fundori amerikan Malcolm Canada ishte më i miri te skuadra e trajnerit Arbnor Rifati. Canada luajti me 25 pikë, 11 kërcime e 8 asistime.
I riu Rilind Krasniqi i Prishtinës, shkëlqeu kundër Boreas duke luajtur me dyshifror të katërfishtë (quadruple-double) prej 24 pikëve, 18 kërcimeve, 10 asistimeve dhe 10 topave të vjedhur. Ky ishte dyshifrori i katërfishtë i dyti në histori të Superligës, ku muaj më parë e kishte realizuar një tjetër lojtar i Prishtinës, Valon Bunjaku.
Në derbin lokal të Prizrenit më i miri ishte Drilon Hajziri i Bashkimit. Kampioni aktual e fitoi derbin, derisa Hajrizi luajti me 15 pikë, 9 kërcime e 8 asistime.
Krahas humbjes në derbin kundër Yllit, më i dalluari te Rahoveci ishte Frederick Richardson me 23 pikë e 15 kërcime.
Qendra e re e Yllit, Bambale Osby, me performancën prej 17 pikëve e 9 kërcimeve e përmbylli pesëshen më të mirë të xhiros XXIV.