Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LINDJE

Clevelandi në finale!

Foto: Cleveland Cavaliers Official

Clevelandi në finale!


28 May, 2016 @5:09

Përcaktohet finalisti i parë i sezonit 2015/2016 në NBA. Pas 6 ndeshjeve, Clevelandi arriti ta fitojë serinë finale të Konferencës Lindore ndaj kanadezëve të Torontos me rezultat të përgjithshëm 4-2, për t’u kualifikuar në finalen e madhe.

Cavs serinë e përmbyllën me fitore bindëse në ndeshjen e zhvilluar në Toronto, në një takim në të cilin nuk pati histori, pasi që skuadra nga Ohio ishte në epërsi të konsiderueshme gjatë gjithë takimit dhe nuk lejoi që të zhvillohej ndeshja e shtatë.

Si rrallë herë, sonte Clevelandi shënoi 17 treshe, një aspekt tjetër i lojës që është përmirësuar dukshëm te kjo skuadër gjatë playoff-it. Po ashtu, për herë të gjashtë gjatë playoff-it, Love-James-Irving e mbyllën takimin me mbi 20 pikë secili. Treshja e madhe sonte ndeshjen e mbylli me 83 pikë gjithsej.

Më i dalluari për skuadrën e Clevelandit ishte edhe një herë LeBron James, i cili vetëm në pjesën e parë shënoi 21 pikë, ndërsa takimin e mbylli me 33 pikë, 11 kërcime e 6 asistime. Irving shtoi 30 pikë e 9 asistime dhe Kevin Love e mbylli me 20 pikë e 12 kërcime.

Në anën tjetër, paraqitja fenomenale e Kyle Lowryt me 35 pikë e 9 asistime shkoi huq, pasi që skuadra e tij nuk e arriti suksesin e dëshiruar.

Vlen të përmendet fakti që kjo është hera e gjashtë radhazi që LeBron James luan në finalen e madhe të NBA, një arritje kjo që shihet për herë të parë në NBA që nga gjenerata e artë e skuadrës së Boston Celtics.

Në finalen e madhe, Clevelandi pret fituesin e takimit mes Oklahomas dhe Golden State Warriorsave, ku seria momentalisht kryesohet nga Oklahoma me rezultat 3-2.

SKEMA PLAY OFF


 
Të gjitha lajmet nga NBA