KUQEZINJTË E JAKOVËS ME PËRFORCIM
Craig Osaikhwuwuomwam - alo qendra e re e Vëllaznimit
31 January, 2024 @13:56
Mbrëmë KB Vëllaznimi bëri të ditur se nënshkroi marrëveshje deri në fund të stinorit me basketbollistin holandez, Craig Osaikhwuwuomwam. Përvoja e basketbollistit 211 centimetra të gjatë është e gjerë në Evropë, ndërsa Wuwu (shkurtimisht v.j.) ka luajtur së fundi për Rilskin e Bullgarisë.
Craig Wuwu te Rilski ka pasur mesatare prej 6.6 pikëve dhe 4.9 kërcimeve te ekipi bullgar ku ka luajtur gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të shkuar.
Pos kësaj dhe ekipeve të shtetit të tij, përgjatë karrierës së tij holandezi i Vëllaznimit ka luajtur edhe në ligën çeke, estoneze dhe gjeorgjiane.
“KB Vëllaznimi mbetet i përkushtuar për të forcuar ekipin dhe për të arritur rezultate sa më pozitive, andaj kemi kënaqësinë të prezantojmë lojtarin më të ri, qendrën holandeze, Craig Osaikhwuwuomwam.
Craig është qendër e njohur 33 vjeçare dhe i gjatë 211cm.
Ai ka një eksperiencë të gjatë në top kampionate evropiane ku për 10 sezone luajti në elitën e basketbollit holandez për skuadra si Apollo Amsterdam, Nijmegen Magixx, LWD Basket, Donar Groningen dhe Lamstede Hammers, kurse luajti edhe në elitën e Republikës së Çekisë për BK Armex dhe për top ekipin estonez, Talinna Kalev.
Craig njihet si lojtar me karakteristika të shumëanshme dhe me shumë dimensionalitet në sulm, duke pasur shkathtësi asistuese, ashtu si ato defensive.
Emri i tij është i vështirë, ashtu siç do ta kenë të vështirë ekipet kundërshtare ta ndalin atë.” - ka shkruar njoftimi i Vëllaznimit (pa ndërhyrje).
Vëllaznimi përndryshe ndërroi dy trajnerë gjatë këtij stinori dhe aktualisht është duke punuar nën drejtimin e kroatit Vladimir Krstic. Ekipi është në vend të pestë të Superligës aktualisht, ndërsa ka marrë përsipër organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës.