FITORE E PRITUR
Peja kalon lehtë Istogun, para javës së ngjeshur
28 January, 2024 @21:43
Pa probleme dhe pritur, Peja ka mposhtur Istogun në ndeshjen përmbyllëse të xhiros së 19. të Superligës. Verdhezinjtë e drejtuar nga Rami Hadar kanë fituar ndeshjen me rezultat 80-53 duke dominuar në pjesë të madhe të ndeshjes, ndërsa trajneri izraelit i ekipit në çerek të fundit i ka dhënë mundësi secilit lojtar të shijojë Superligën.
Dhe, asnjë nga lojtarët e Pejës nuk ka dalë nga ndeshja pa shënuar së paku 1 pikë. Njëjtë, edhe trajneri i Istogut Fikret Shatri i dha mundësi të gjithë basketbollistëve në dispozicion të shijojnë duelin, përkundër rezultatit.
Larry Thomas ka qenë koshashënuesi më i dalluar i Pejës në këtë duel me 19 pikë të shënuara, ndërsa ka bërë edhe 6 asistime e 7 kërcime në fitore. Me nga 10 pikë duelin e kanë përfunduar Sadio Doucoure, Meriton Ismaili dhe Justin Davis. Ky i fundit kreu ndeshjen me double-double duke regjistruar edhe 10 kërcime.
Te Istogu koshashënues më të mirë kanë qenë Arian Azemi me 15 dhe DaQuan Brooks me 14 të shënuara. Istogu me këtë disfatë bëhet me bilanc 1-18. Peja shkon në 14-5.
Për Pejën, kjo ndeshje e lehtë ka qenë e fundit para javës së ngjeshur që e pret. “Shqiponjat” do të udhëtojnë përgjatë mesjavës në Mal të Zi ku brenda dy ditësh do të luajnë dy ndeshje. Së pari ndaj Pljevljes me 30 janar, ndërsa më 31 janar ndaj Lovçenit. Menjëherë pas kësaj mesjave, në fundjavë janë mysafirë ndaj Prishtinës në derbin e madh të Kosovës!