SHTESA E RE NË EKIP - I NJOHUR PËR SUPERLIGËN
Kwame Vaughn - përforcimi i ri i Pejës
1 February, 2024 @10:31
Ish-basketbollisti i KB Prizrenit, Kwame Vaughn, është zyrtarizuar sot si lojtar i ri i kampiones së Kosovës, KB Peja. Amerikani që ka qenë pjesë e Prizrenit gjatë stinorit 2020/21 dhe ka luajtur me mesatare prej 24.7 pikësh për ndeshje pritet të jetë forcë shtesë në ekipin e Rami Hadarit, për të luftuar në tre fronte, siç ka shkruar ekipi pejan sot.
Vaughn së fundi ka qenë pjesë e ekipit nga Kazakistani, Astana, ku ka luajtur me mesatare prej 10.6 pikë e 3.3 asistimeve për ndeshje, ndërsa me të njëjtin ekip në VTB ligë ka luajtur me 14.2 pikë për ndeshje mesatarisht e me 2.4 asistime për ndeshje.
Pos këtyre ekipeve, 33 vjeçari që luan në pozitën e playmakerit dhe është 191 centimetra i gjatë ka qenë pjesë e Maccabi Haifës, Petrolul Pitestit e më herët ka qenë pjesë e Zarës kroate e Partizanit të Beogradit.
“KB Peja iu njofton që ka arritur marrëveshje me Basketbollistin Amerikan të pozitës 1, Kwame Vaughn.
Këame do t’i bashkohet kampit verdh e zi shumë shpejt, për të qenë forcë shtesë në rrugën për të gjitha trofetë.
Vaughn ka ndërtuar karrierë në elita të mëdha të basketbollit Europian - si Belgjikë, Francë, Gjermani, Kroaci, Rumani dhe në Kosovë më parë ka luajtur te KB Prizreni. Së fundmi, ai ishte shënuesi dhe asistuesi më i mirë te Astana në VTB League.” - ka bërë të ditur KB Peja në njoftim.
Peja është me bilanc 3-0 në BIBL, ndërsa në Superligë është e dyta në renditje me bilanc 14-5.