ALO ME PËRVOJË PËR "PLISAT"
Donte Clark i bashkohet Prishtinës - detajet, statistikat dhe video
31 January, 2024 @11:45
Basketbollisti amerikan, Donte Clark është lojtar i ri i Prishtinës. Lojtari që këtë vit mbush të 30-tat dhe është 194-centimetra i gjatë së fundi ka qenë pjesë e ekipit Haremspor në TBL-2 të Turqisë, ku ka pasur mesatare prej 21.6 pikëve për ndeshje, 4.6 asistime dhe 6.6 kërcime.
Ai ka bërë karrierë në disa liga evropiane të basketbollit, ndërsa pos Turqisë ka luajtur edhe në Sllovaki për Levicki Patrioti (2021/22), ligën e dytë të Izraelit për Hapoel Migdal Jezreel, elitën ukrainse për Ternopil Tneu, etj.
Përgjatë karrierës së tij Clark në ligat e para nuk ka kaluar mesataren prej 10 pikëve për ndeshje, ndërsa në ligat e dyta ka shënuar mesatarisht mbi 20 pikë për ndeshje.
“Donte Clark i bashkohet Sigal Prishtinës
Ju njoftojmë se, lojtari i pozitave 2-3, amerikani Donte Clark ka nënshkruar me skuadrën e kryeqytetit.” - ka shkruar njoftimi i KB Prishtinës, duke bërë të ditur për transferin e ri në ekip.
Përndryshe, ky ka qenë njëri prej lojtarëve të paralajmëruar nga trajneri Jaksa Vulic, i cili në intervistën e fundit dhënë pas ndeshjes ndaj Bashkimit, kishte treguar se në ekip do të vinë edhe dy lojtarë të huaj, njëri prej të cilëve është alo (Clark) dhe një qendër (në pritje të zyrtarizimit).
Prishtina është e treta në renditjen tabelare të Superligës aktualisht, ndërsa klubi në fjalë që është rekord-kampion i Kosovës, nuk ka fituar titull kampioni që prej stinorit 2018/19, që është periudha më e gjatë pa titull kampioni pasluftës për bardhekaltërit.