YLLI ZYRTARIZON TRAJNERIN E RI
Ylli rikthen në Superligë Petar Mijovicin
2 February, 2024 @15:02
Dy herë kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli ka zyrtarizuar trajnerin e ri të ekipit. Malaziasi Petar Mijovic që në Superligë më parë ka drejtuar Bashkimin dhe Prishtinën është trajner i ri i Yllit të Suharekës.
Mijovic njeh mirë Superligën, ndërsa pas aventurës në Kosovë ai kori suksese në Mal të Zi me Buducnostin, kurse në ndërkohë punoi edhe me ekipe tjera ndërkombëtare si Slask Wroclaw (Poloni) e Atomeromu (Hungari).
Trajneri 41 vjeçar (që më 23 shkurt mbush të 42-tat) zëvendëson Kostas Flevarakisin në krye të Yllit, që u nda me ekipin pas humbjes së pësuar nga Peja në “13 qershori”. Në xhiron pas saj Yllin e drejtoi ndihmësi Endrit Elshani që arriti fitore me ekipin ndaj Vëllaznimit në “Shani Nushi”.
Debutimi i Mijovicit pritet të bëhet të dielën, kur Ylli pret Prizrenin në “13 qershori”. Ylli aktualisht është i katërti në renditjen tabelare të Superligës me bilanc 11-8.