CHELSEA E LIVERPOOL

REUTERS/Eddie Keogh
Dëshpërojnë
29 November, 2012 @10:23
Chelsea me trajnerin e ri, Rafael Benitez, ka vazhduar të mos shënojë e të mos pësojë. Kështu, në dy xhirot e para me spanjollin në krye kampioni europian nuk ka arritur të merr më shumë se një pikë.
Ndërsa, përkundër se përsëri u fishkëllua nga tifozët e Chelseat, spanjolli Rafa Benitez pas ndeshjes ka deklaruar befasishëm se Chelsea ende mund të fitojë titullin.
“Kemi gjasa të fitojmë titullin. Kampionati është garë e gjatë. Ne jemi në lojë për titull,” ka thënë 52 vjeçari Benitez.
Liverpool në anën tjetër ka pësuar humbjen e katërt të stinorit. Ekipi i Brendan Rodgersit me fitore në xhiron e kaluar ndaj Wiganit mendohej se po i kthehej fitoreve, mirëpo nuk doli të jetë ashtu.
E trajneri i të kuqve, Brendan Rodgers, ka akuzuar gjyqtarin e ndeshjes për mosreferim të dy penalltive për ekipin e tij.
“Nuk e di pse ne nuk kemi fituar asnjë penallti këtë stinor. Në dy raste sot ka qenë penallti e pastër. Njëherë Steven Gerrard është penguar, ndërsa në rastin tjetër William Gallas ka shqelmuar Luis Suarezin,” ka dhënë Rodgers detajet e rasteve që sipas tij do të duhej të referoheshin me dënimin më të rëndë.