PREJ 3-0 NË 3-3!

Dinamo bën rikthim të pabesueshëm për të marrë pikë ndaj Prishtinës së Re!
13 April, 2025 @23:55
Tre gola ishte epërsia e Prishtinës së Re kur kishin mbetur edhe 5 minuta deri në fund të takimit. E çka ndodhi në momentet e fundit të ndeshjes bashkë me kohën shtesë, nuk ka shpjegim!
Dinamo e Ferizajit e drejtuar nga Burim Qerkini ka arritur që të marrë pikë nga liderja e Grupit B të Ligës së Parë falë golave të Ekiminit dhe Sadikut në fund, për të barazuar duelin, Prishtina e Re - Dinamo 3-3 [Astrit Berisha 49’pen., 51’, Bleon Sekiraqa 76’—Effiong Ekemini 86’, 90’+2, Drilon Sadiku 90’+3].
Prishtina e Re ka dominuar përgjatë gjithë ndeshjes. Astrit Berisha me penallti në pjesë të dytë dhe me një gol fenomenal më vonë ka qetësuar vendasit që kërkonin me ngulm golin. Ekipi i Elon Berishës ka pasur edhe shumë raste të humbura. Sekiraqa pastaj bëri 3-0 pas asistimit të Astrit Berishës. Por, fundi i ndeshjes i gjeti ata të zhgënjyer!
Barazimi vë në rrezik pozitën e parë që garanton Superligën për Prishtinën e Re. Tashmë ata kanë vetëm dy pikë më shumë sesa ndjekësja Vushtrria, që po kalon formë tepër të mirë. Prishtina e Re mbylli xhiron XXII me 54 pikë në vend të parë. Dinamoja është e katërta me 34 pikë. Deri në fund të stinorit mbesin edhe 5 xhiro.