FERIZAJASIT FITOJNË

Dinamo fiton, fut 2 Korrikun në gajle mbijetese!
29 March, 2025 @21:43
Dinamoja e Ferizajit ka shënuar edhe fitoren e dytë me radhë së fundi, pas një starti jo të mirë të pjesës pranverore të stinorit. Viktimë e radhës e tyre ka qenë 2 Korriku i Prishtinës, që pas ndarjes së rrugëve me Besim Ademit, nuk po arrin të këndellet nën drejtimin e Labinot Hazirit.
Dinamoja ka qenë konkrete në këtë përballje dhe ka shfrytëzuar rastet për të fituar ndeshjen me rezultat solid, 2 Korriku - Dinamo 0-2 [Genc Berisha 20’, Effiong Ekemini Eyou 72’]. Te 2 Korriku, ndikuan gabimet individuale të lojtarëve, ndërsa kartoni i kuq i minutës së 59-të të ndeshjes veçse zbehu gjasat e tyre për të bërë diçka më shumë në ndeshje.
Fitorja, bën që Dinamo të mbyllë xhiron e XX të Grupit B të Ligës së Parë në pozitë të katërt me 33 pikë, ndërsa 2 Korriku tashmë rrezikon seriozisht mbijetesën, pasi që është baraz me pikë me Kikën! 2 Korriku mbyllë xhiron XX në pozitë të tetë me 17 pikë, sa ka edhe Kika në pozitë të nëntë në zonë të rënies.