DUEL I MADH NË GRUPIN B!

Fotot: KFPrishtinaeRe/ fb
Ndahen tribunat para derbit
27 March, 2025 @12:52
Përballja derbi e Grupit B të Ligës së Parë, ku Prishtina e Re pret Vushtrrinë pritet të përcillet nga shumë adhurues. Për këtë arsye, ekipi i Prishtinës së Re, që është në kërkim të Superligës për herë të parë në histori, ka përgatitur edhe pjesën e tifozirëve të ekipeve, para duelit.
Kujtojmë, Prishtina e Re kryesisht ndeshjet si vendas i luan në “Xhemajl Ibishi” të Prishtinës, ndërkaq për këtë duel ndaj Vushtrrisë është përzgjedhur “Sami Kelmendi” i Lipjanit.
“Informacion me rëndësi për tifozët
Tifozët dhe mbështetësit vendas do të jenë në tribunen perendimore - Hyrja 1 e stadiumit, andaj udhëzojmë të gjithë tifozët dhe mbështetësit tanë të jenë në ketë pjesë!
Tifozët dhe mbështetësit mysafir do të jenë në tribunen veriore (prapa portës - në pjesën e shenjëzuar), andaj udhëzojmë të gjithë Vushtrriasit të jenë në ketë pjesë!”—bëri të ditur KF Prishtina e Re.
Prishtina e Re është lidere e Grupit B të Ligës së Parë me 50 pikë. Vushtrria ndjekëse ka 43 pikë. Vendi i parë në grup siguron Superligën, ndërsa pozita e dytë, kërkon dy ndeshje barazhi të fituara për të arritur në elitë.
Prishtina e Re ka nisur shkëlqyeshëm pranverën në Ligë të Parë, duke radhitur fitoret nën drejtimin e Elon Berishës që po udhëheq ekipin për dy stinorë suksesshëm. Ndërkaq Vushtrria e Armend Dallkut pas rimëkëmbjes financiare në verën e vitit 2024, shpreson në ulje dallimi të pikëve dhe rrugëtimin direkt në Superligë. Ndeshja luhet sot me fillim prej orës 14:00.