PARA NDESHJES
Do të arrijmë me ndihmën e tifozëve
3 November, 2015 @15:06
Sigal Prishtina sot ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku tema kryesore ka qenë ndeshja kundër skuadrës nga Kazakistani, Astana, e cila do të zhvillohet nesër në kuadër të FIBA EuropeCup.
Në konferencë të pranishëm kanë qenë drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, si dhe Luan Maloku, menaxher i klubit, ku që të dy janë shprehur optimist për këtë takim.
“Ky takim është një ditë historike për ne pasi që do të luaj ndeshjen e parë në kuadër të FIBA EuropeCup, në shtëpi. Shpresoj që me ndihmën e tifozëve do të arrijmë objektivat që kemi,” u shpreh Miftari.
Ndërsa Maloku, i cili më shumë u ndal në organizimin e kësaj ndeshjeje, tha: “Një ndeshje të nivelit të tillë ne organizojmë për herë të parë, por besoj se gjithçka do të jetë në mënyrën më të mirë. Edhe më herët kemi organizuar ndeshje të nivelit të lartë dhe kemi dëshmuar se mund të bëjmë një gjë të tillë”.
Ndeshja ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Astanas do të zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Bardhekaltërit në ndeshjen e parë të këtij kompeticioni ishin mposhtur nga ekipi rumun, Energia Rovinari, me rezultat 87-72, derisa skuadra e Astanas kishte shënuar fitore dramatike me rezultat 78-74 ndaj ekipit qipriot, AEK.