PRISHTINA
“Do t’i përsërisim sukseset e vitit të kaluar”
15 September, 2015 @20:43
Skuadra e Sigal Prishtinës po i vijon përgatitjet për stinorin e ri në qytetin e Ohrit.
Ekipi bardhekaltër është në pritje të qendrës Bamba Fall për ta kompletuar skuadrën, gjë të cilën e konfirmon edhe trajneri Marjan Ilievski, i cili shprehu optimizmin e tij për stinorin e ri.
“Këto ditë po presim të na vijë edhe qendra senegaleze - Bamba Fall,që të kompletohet skuadra. Me cilësitë e këtyre basketbollistëve jam shumë i kënaqur,dhe së bashku besojmë se do ti përsërisim sukseset e vitit të kaluar. Ne do të mundohemi ti mbrojmë titujt e fituar,dhe në FIBA Europe Cup të kalojmë grupet,” ka thënë Ilievski, transmeton faqja zyrtare e klubit.
Në anën tjetër, kapiteni i prishtinasve, Edmond Azemi, në një intervistë për Klan Kosovën ka thënë se synimi kryesor i skuadrës së tij është FIBA Europa Cup, garë kjo e cila do të zhvillohet për herë të parë sivjet.
“FIBA Europe Cup është synimi ynë kryesor, por nuk do e harrojmë normalisht as Ballkan Ligën. Në FIBA Europe Cup ka skuadra shumë të forta, ku kemi 4 skuadra në 8 grupe. Ne kemi një grup tejet të vështirë dhe do të japim maksimumin që ta kalojmë grupin, e për më pas do të shohim,” ka thënë Azemi.
Sigal Prishtina e ka humbur ‘skeletin’ e stinorit të kaluar, pasi që nga skuadra janë larguar bartësit kryesorë të lojës, mirëpo me transferimin e lojtarëve cilësorë ekipi nga kryeqyteti duket se përsëri do të vrapojë pas titujve.