Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RIKTHIM I MADH I PEJËS

Dramë në “13 qershori” Peja barazon serinë, vendimtarja për finale — në “Karagaç”

Foto: KBPeja/ Korniza/ fb

Dramë në “13 qershori” Peja barazon serinë, vendimtarja për finale — në “Karagaç”


1 May, 2024 @21:34

Një super betejë e serisë gjysmëfinale në ndeshjen e katërt ndërmjet Yllit e Pejës, për të fituar kampionja aktuale në fund të ndeshjes me pikët e Larry Thomas, 80-81.

Vetëm dy minuta para fundit të ndeshjes, rezultati ishte 79-70 në të mirë të Yllit, që i duhej edhe një fitore për të arritur finalen e playoffit. Por Peja tregoi dhëmbët në minutat e fundit të ndeshjes, barazoi 17 sekonda para fundit në 79-79.

Alonzo Verge Jr. shënoi një nga dy gjuajtjet e lira 9 sekonda para fundit, për 80-79, ndërsa në sulmin e fundit Larry Thomas shënoi për fitoren e madhe të pejanëve, që bëri rezultatin në seri nga 0-2 në të mirë të Yllit në 2-2 dhe tash ndeshja vendimtare e pestë e serisë do të luhet në “Karagaç” të Pejës - ku vendoset finalisti. Sekondat e fundit: Musab Mala provoi për tre pikë, topi nga rrethi u kthye, për të kërcyer Larry Thomas, që shënoi për fitore. Në 3 sekondat e mbetura vrapoi Alonzo Verge Jr për të shënuar, por nga largësia ishte jopreciz dhe Peja fitoi.

Verge u bë lojtari i parë në playoff që arriti triple-double, duke mbyllë ndeshjen me 32 pikë, 12 asistime e 10 kërcime - por as kjo paraqitje e tij nuk mjaftoi për suharekasit e drejtuar nga Petar Mijovic.

Justin Davis shënoi 22 pikë e bëri 11 kërcime në fitoren jetike për Pejën, ndërsa Larry Thomas dha 17 pikë, duke shutuar 3/6 për tre pikë. 14 pikë dha Kwame Vaughn.

PLAYOFF SKEMA

Fitorja tani kthen krejtësisht Pejën në rol të favoritit në duel të fundit. Terreni vendas, edhe pse i suspenduar për “pa spektatorë” pritet t’ua mundësojë kontrollin verdhezinjëve. Ylli në anën tjetër duhet të kërkojë këndelljen pas epërsisë 0-2 në seri që kishte, që tashmë iu shkri në 2-2.

Sa i përket ndeshjes së sotme, Ylli bëri dallimin në çerek të parë 26-20, Peja u rikthye në lojë më pas me 21-26 ndërsa kah fillimi i çerekut të katërt Ylli arriti epërsi 71-60. Kjo nuk demoralizoi Pejën e Rami Hadarit, që dalëngadalë u rikthye në lojë për ta fituar atë në fund dhe për të barazuar serinë gjysmëfinale, duke e çuar atë në ndeshjen e fundit dhe vendimtare të pestë.

Peja - Ylli pritet të luhet të shtunën.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga