DRITA 4-0 LLAPI

Drita duke festuar sot/ Foto: DritaFC/fb
Drita demolon Llapin
3 September, 2022 @19:05
Drita ka shënuar fitore bindëse ndaj Llapit sot, për të kërcyer në pozitë të dytë të renditjes tabelare të Superligës, pasi që në shtëpi fitoi ndaj podujevasve, 4-0 [Besnik Krasniqi 10 pen., 26 pen., Almir Kryeziu 45, Marko Simonovski 54].
I gjithë ‘muhabeti’ sa i përket fituesit të ndeshjes u përcaktua në pjesë të parë, kur dominimi i dukshëm i Dritës ndalej palejueshëm nga llapjanët në zonë, ndërsa mbrojtësi i krahut me përvojë Besnik Krasniqi shënoi dy herë për 2-0, e pak më vonë edhe Almir Kryeziu që u dallua mjaft sot, mbylli pjesën e parë me gol, e një rast më parë kishte qëlluar shtyllën, për 3-0 në 45-minutat e para.
Në pjesë të dytë, Drita vazhdoi njëjtë, derisa Marko Simonovski vulosi fatin e takimit duke e bërë 4-0. Ky u asistua nga Besnik Krasniqi, që kishte krosuar nga e djathta.
Përkundër pesë ndërrimeve të bëra nga tranjeri Tahir Batatina, Llapi nuk arriti të bëj më shumë pos një rasti kah fundi i ndeshjes, ndërsa Drita e menaxhuar qetë nga Ardian Nuhiji shënoi fitoren e dytë sezonale për të marrë momentalisht pozitën e dytë në renditje.
Derisa Drita shënoi fitoren më të thellë sezonale deri tash, Llapi pësoi humbjen me të thellë të stinorit brenda këtyre xhirove të zhvilluara.
Derisa në deklaratën e dhënë pas ndeshjes trajneri i Llapit u ankua në referim, ai i Dritës përgëzoi lojtarët dhe vlerësoi rastet e shfrytëzuara, përkundër penalltive.