TAKIMI I PARË
Dueli i parë mes Bashkimit dhe Pejës këtë stinor
14 February, 2017 @0:01
Njëra ndër derbit e katërshes së madhe të skuadrave të Kosovës në basketboll, nuk u zhvillua fare këtë stinor.
Së paku kështu do të jetë deri të premten, kur Bashkimi dhe Peja do të takohen për herë të parë dhe atë përsëri jo në kuadër të kampionatit, por në Final Four të Kupës së Kosovës.
Dy ndeshje e skuadrave në fjalë, një në “Karagaç” (xhiro XIV) dhe një në “Sezai Surroi” (xhiro VII) u shtyen gjatë stinorit vjeshtor për shkak të obligimeve të ekipeve në gara ndërkombëtare.
Peja luante në FIBA Europe Cup dhe BIBL. Ndërsa Bashkimi në BIBL. Tash Peja ka mbetur skuadra e vetme nga Kosova në gara ndërkombëtare, duke vazhduar në fazën e dytë të garave në BIBL, pasi u eliminua nga FIBA Europe Cup. Kurse Bashkimi u eliminua në fazë të parë të BIBL.
Të dyja skuadrat kanë ‘ruajtur’ kryetrajnerët nga fillimi i stinorit. Peja vazhdon me Aleksandar Todorovin, ashtu sikurse Bashkimi me Dragan Radovicin.
Por në ekipe, ka pasur disa ndërrime te të huajt, derisa baza vendore ka mbetur thuajse e njejtë.
Të premten në ora 16:30 në “Minatori” skuadrat do të ndeshen për herë të parë këtë stinor në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe fituesi i ndeshjes do të shkojë në finale të Kupës.