INTERVISTË

Albi Gjoka
Duhet punë për sukses!
15 December, 2012 @11:47
Ai ka luajtur në shumë ekipe sllovene përkundër moshës së tij të re. E ka dorën e butë, që kanë mundur ta provojnë shumë kundërshtarë, të cilëve u ka dhënë mbi 30 pikë në BKT Superligë. Posa erdhi në Kosovë, dy herë radhazi ishte në pesëshen e javës së BKT Superligës. Njeriu që në Kosovë po kënaqet duke e ngrënë ëmbëlsirën më të mirë në botë për ‘te, Marcel Mihalic, flet për Borozani.com.
Jemi afër me kualitet
I riu slloven, pas dy muajve të kaluara në Gjakovë dhe takimeve gati me çdo ekip, krahason kualitetin e basketbollit tonë me atë të vendit të tij, duke thënë se katër ekipet e forta të Kosovës, pa problem do të mund të përballeshin në ligën e parë sllovene, hiq këtu Union Olimpijan dhe Krkan, të cilat marrin pjesë në ligat europiane.
Mihalic, 22 vjeçar i kënaqur me jetën e tij në Gjakovë, është realist kur e shikon Vëllaznimin në krahasim me klubet tjera, mirëpo nuk e mohon mundësinë e shfrytëzimit të rastit për play-off.
“Gjasa gjithmonë ka. E di se unë dhe të gjithë bashkëlojtarët e mi japim gjithçka nga vetja dhe asnjëherë nuk dorëzohemi, forcat tona po shihen, mirëpo për play-off duhet edhe fat,” ka thënë Marceli duke folur për mundësitë e të kuqve.
Me moton e legjendës kroate, Drazen Petrovic
I stërkënaqur nga atmosfera në ekip, bashkëlojtarët dhe Gjakova në përgjithësi ai kohën e lirë flet me familjen nëpërmjet Skype, pastaj shikon filma, relaksohet në hotel me bashkëlojtarin kroat, qendrën gjigante të Vëllaznimit, Denis Vrsaljko e pastaj dalin në qytet për të ngrënë ëmbëlsirën më të mirë në botë – Trilecce (qeshet).
Çfarë befasie mund të presim nga Vëllaznimi? Ndonjë befasi ndaj ekipeve të katërshes së madhe? “Në basketboll gjithçka mund të ndodh, loja luhet deri në sekondën e fundit. Mirëpo ne kemi probleme me disa lëndime, mirëpo asnjëherë nuk i dihet, do ta shohim,” ka thënë Mihalic, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij viti me gjakovarët, derisa të gjitha opcionet janë të hapura.
“Shiko, më duhet të them se më pëlqen të luaj në Kosovë, për shkak se jashtëzakonisht më pëlqejnë tifozët që bëjnë gjithmonë atmosferë të mirë,” përfundon bisedën e tij me Borozani.com slloveni i ri i cili adhuron legjendën kroate, Drazen Petrovic, duke e pasur edhe moto karakterin dhe dëshirën e tij për punë që shkrihet në fjalën: Për sukses duhet punuar!