DANIEL LUTZ
Dy qëllimet e arritura
23 January, 2014 @0:36
Peja, e cila arriti të shënojë fitoren e katërt në kuadër të ligës ballkanike të martën mbrëma, ka shtuar gjasat për pjesëmarrje në Play-Off të Balkan League.
Trajneri kroat i verdhezinjëve që ka menaxhuar lojën e ekipit të tij me 8 basketbollistë ndaj Kozuvit është shprehur tejet i kënaqur pas fitores.
“Absolutisht fitorja ka qenë tejet e rëndësishme. Kemi luajtur pa lojtarin kyq. Kemi pasur dy qëllime: të fitojmë ndeshjen dhe ta fitojmë atë me mbi 5 pikë epërsi. Jam i kënaqur, posaçërisht me mënyrën si e kanë zhvilluar lojën lojtarët e mi,” ka thënë Lutz për faqen zyrtare të ligës ballkanike.
Ai më tej ka treguar edhe synimet e ekipit të Pejës, derisa gjithashtu ka cekur rëndësinë e publikut në ndeshje për ekipin e tij.
“I kemi vënë vetes qëllim që të arrijmë gjashtëshen më të mirë të Balkan League. E dimë se jemi ekipi me më së paku përvojë në këtë ligë, por ne po koncentrohemi ndeshje pas ndeshjeje. Ka atmosferë të mrekullueshme këtu, ndeshjet po përcillen në numër të madh të publikut, që po na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë. Ata shumë mirë po e dinë se kur duhet bërë presion te ekipi kundërshtarë dhe t’ia ngrisin moralin lojtarëve të vetë,” ka thënë ndër të tjera kroati.
Peja ndeshjen e radhës në ligën ballkanike e zhvillon kundër Levskit të Sofjes, nga e cila ka humbur ndeshjen e parë të zhvilluar në Karagaç dhe tani do të kërkojë një revansh të vështirë në kryeqytetin bullgar.
“Kemi ndeshje të vështirë ndaj Levskit pas dy javëve, të cilët na kanë mposhtur në shtëpi,” ka vlerësuar takimin e radhës të ekipit të tij tekniku kroat.
Peja që ia nisi dobët ligës ballkanike u këndellë me kohë dhe tani gjindet në pozitën e gjashtë të klasifikimit me bilanc prej 4 fitoresh dhe 5 humbjesh.