ILIEVSKI

BOROZANI/Lis Dorambari
E kemi analizuar mirë Pejën
11 May, 2015 @9:35
Sigal Prishtina mbrëmë doli në epërsi të serisë finale 1-0 ndaj Pejës dhe para ndeshjes së dytë që pritet të zhvillohet në mesjavë, është një ndeshje më afër titullit kampion se Peja.
Sipas trajnerit të bardhekaltërve, Marjan Ilievski, Prishtina ka analizuar mirë lojën e Pejës dhe kjo ka qenë njëra ndër arsyet kryesore të fitores mbrëmë.
“Pas dy humbjeve që na i ka shkaktuar Peja, ne i kemi analizuar në detaje ato dy ndeshje dhe jemi munduar maksimalisht të përmirësohemi aty ku nuk kemi funksionuar ashtu si duhet. Në këtë duel treguam se kemi pasur sukses në këtë drejtim. Luajtëm mirë në mbrojtje, kurse në sulm i shfrytëzuam mjaft mirë lojtarët tanë shtatlartë, të cilët e bënë diferencën në këtë ndeshje. Tani kemi epërsi prej 1:0 në seri, është më lehtë për ne, megjithatë ne nuk do të vetëkënaqemi, por do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e dytë në ‘Karagaç’,” ka thënë Ilievski pas ndeshjes për faqen zyrtare të FBK-së.
Sigal Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës dhe dëshiron që të mbrojë titullin për të fituar të dytën me radhë në dy vitet e fundit.