GAME 2: YLLI - RAHOVECI
Edhe e dyta Rahovecit, pranë finales historike
26 April, 2019 @20:51
Si pothuajse të gjitha ndeshjet mes këtyre dy skuadrave së fundi, edhe ndeshja e sontme mes Yllit dhe Rahovecit në Suharekë ka kaluar me dramë të madhe dhe më shumë emocione, e në fund fitores iu gëzuan ‘vreshtarët’, të cilët arritën ta fitojnë edhe ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale, për t’iu afruar kështu shumë finales historike, të cilën nuk e kanë arritur asnjëherë në histori të klubit.
Ndeshja filloi me një seri 9-0 të Yllit, e kjo ndikoi që suharekasit ta fitonin çerekun e parë me rezultat 30-19, mirëpo Rahoveci dalëngadalë u konsolidua dhe arriti që pjesën e parë ta mbyllë me disavantazh të ngushtë, 49-47.
Pak më i mirë për mysafirët ishte çereku i tretë, i cili bëri që ndeshja të bëhej edhe më e barabartë dhe rrjedhimisht çereku i katërt të ishte fantastik.
Që çereku i katërt kaloi me luftë tejet të fortë, e dëshmon fakti që për 5 minuta lojë u shënuan vetëm 3 pikë, 2 nga Ylli e 1 nga Rahoveci, ndërsa në 5 minutat e fundit të ndeshjes më e përqëndruar u tregua skuadra e Rahovecit, e cila me shënimet vendimtare të Arian Qallakut e Atik Koshit, arriti ta fitojë ndeshjen me rezultatin e ngushtë 78-80.
Në anën tjetër, te Ylli i pakujdsesshëm u tregua Garrius Holloman, i cili humbi dy topa në momentet më kritike të ndeshjes dhe bashkë me skuadrën e tij u detyrua të pajtohet me humbje.
Duke luajtur me double-double, Holloman bashkë me Osbyn ishin më të dalluarit te Ylli sonte, kurse te Rahoveci më i dalluari ishte Frederic Richardson me 25 pikë e 3 kërcime.
Sipas sistemit 2-2-1, ndeshja e tretë e serisë luhet në Rahovec të dielën, takim ky që nëse fitohet nga Rahoveci, seria përfundon dhe Rahoveci shkon në finale.