ALL STAR 2018
Spektakël në All Star, triumfon skuadra e James
19 February, 2018 @10:34
All Star 2018 në NBA përfundoi sot në mëngjes me ndeshjen e madhe ku ishin grumbulluar yjet e NBA-së.
Siç dihet, për dallim nga formati i zakonshëm Lindje-Perëndim, sivjet ndeshja është luajtur me një format tjetër, ku ishin caktuar dy kapitenë të skuadrave, të cilët ishin LeBron Jamesi dhe Stephen Curry, dhe këta dy lojtarë formuan skuadrat e tyre, duke i zgjedhur lotjarët që kishin fituar të drejtën e paraqitjes në All Star.
Nëse vitet e kaluara kishim parë ndeshje më të ‘zbehta’ dhe jo aq përkushtim nga lojtarët, ndeshja e mbrëmshme ishte komplet ndryshe. Të dyja skuadrat e dhanë maksimumin e tyre dhe e tentuan fitoren me çdo kusht, e në fund triumfoi skuadra e Jamesit me rezultat 148-145. Në fakt, ndeshja shumë lehtë mund të shkonte në ‘overtime’, mirëpo të udhëhequr nga shënimet e Jamesit dhe mbrojtja super e egër në sekondat e fundit, skuadra e zgjedhur nga LeBron James e arriti fitoren.
MVP i All Star 2018 është zgjedhur pikërisht LeBron James, i cili luajti me 29 pikë, 10 kërcime e 8 asistime.
LeBron Jamesi gjatë karrierës së tij është zgjedhur 14 herë në All Star, derisa çmimin MVP e fitoi për të tretën herë, duke e barazuar kështu legjendën Michael Jordan në këtë aspekt.