NË PEJË

Foto: FCBesaPeja/ fb
Edhe një ndarje me trajner në Ligë të Parë!
23 January, 2025 @19:10
Nuk kanë të ndaluar largimet dhe afrimet e trajnerëve gjatë pushimit dimëror në Ligën e Parë - Grupi A! Pas Drenicës, Vëllaznimit, Lirisë dhe Rahovecit, tash edhe Besa Peja ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Finik Gashi!
Ekipi i posa krijuar pejan, që u fut direkt në Ligë të Parë, pasi u fuzionua me ekipin Phoenix dhe ka nisur këndelljen e një ekipi nga Peja në futboll, ka bërë të ditur sonte se ndau rrugët me trajnerin.
“Klubi ynë dëshiron të falënderojë nga zemra trajnerin Fisnik Gashi për punën dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në rikthimin e futbollit në Pejë. Fisi ishte një ndër të parët që besoi në projektin tonë dhe u bë pjesë e këtij rrugëtimi të madh.
Puna dhe përkushtimi i tij kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në klubin tonë dhe në zemrat e tifozëve. Për këtë, ne i jemi përjetësisht mirënjohës dhe i urojmë suksese të mëtejshme në karrierë.
Kjo është shtëpia jonë dhe kështu do të jetë gjithmonë – të gjithë bashkë për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur!”—shkroi njoftimi i FC Besa Peja.
Mbetet të shihet se kush do të jetë trajneri i dytë në histori të klubit, ndërsa në vjeshtë Besa Peja kreu stinorin në pozitë të gjashtë me 19 pikë nga 14 ndeshje.