Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ZYRTARIZOHET TRAJNERI I RI

Liria zyrtarizon Leotrim Krasniqin si trajner të ri të ekipit

Foto: FCLiria/ fb

Liria zyrtarizon Leotrim Krasniqin si trajner të ri të ekipit


22 January, 2025 @18:51

Pas aventurës së shkurtër të Bledar Devollit në krye të Lirisë, ekipi prizrenas ka reaguar menjëherë duke qenë në fazën përgatitore në Durrës për ta ndërruar atë!

Leotrim Krasniqi është zyrtarizuar si trajner i ri i ekipit të Lirisë, ky i fundit jo shumë ditë më parë mbeti pa punë, pasi që Vëllaznimi e largoi! Krasniqi kishte dërguar Vëllaznimin në pozitë të dytë të Grupit A të Ligës së Parë në fund të pjesës vjeshtore të stinorit! Por, gjakovarët e shkarkuan.

Në anën tjetër, trajneri Devolli që drejtonte Lirinë në miqësoret përgatitore në Durrës, kishe hyrë në bisedime me Teutën e Durrësit gjatë përgatitjeve - me ç‘rast u shkarkua menjëherë nga detyra! E tash, nis periudha me trajnerin e tretë për Lirinë këtë stinor, pasi që kishin nisur sezonin me Granit Begollin.

TABELA AKTUALE

“Një epokë e re fillon për FC Liria! Me një vizion të qartë dhe një mentalitet fituesi, trajneri ynë i ri është gati ta udhëheqë ekipin drejt sukseseve të mëdha. Puna, përkushtimi dhe ambicia do të jenë themeli i këtij rrugëtimi, ku çdo ndeshje do të jetë një betejë dhe çdo fitore një hap më afër objektivave tona!” — shkroi ndër të tjera njoftimi i FC Liria.

Leotrim Kransiqi @ Liria

Bardhezinjtë që kaluan vetëm stinorin e kaluar në Superligë, pas një mungese të gjatë aty, duan të rikthehen përsëri në elitë! Por, vjeshta nuk kaloi fortë mirë për Lirinë. Skuadra përfundoi e pesta në tabelë me 23 pikë, derisa liderja Drenica ka 31!

Tash gjithçka në dorë të përforcimeve të mundshme në ekip dhe strategjisë që do ta aplikojë trajneri i ri përgjatë pranverës. Krasniqi veçse ka arritur në Durrës dhe ka filluar përgatitjet me Lirinë, ndërsa sot ka qenë dita e parë e tij e punës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë