MAGIC - CAVS
Ekipi më i dobët i Lindjes, përmbys Cavsët
7 February, 2018 @8:57
Disfata e Cleveland Cavaliersit ka qenë e pabesueshme mbrëmë. LeBron James me shokë kishin epërsi 16 pikëshe në fund të pjesës së parë të ndeshjes, pas çerekut të parë 43-31 dhe të dytit 24-20, për pjesën e parë 67-51.
Mirëpo, çka ndodhi në pjesë të dytë, ishte e pashpjegueshme edhe për vetë LeBronin.
“Kemi pasur avantazhe të mëdha këtë vit. I kemi humbur për cilëndo arsye. Ata shënuan pikë të pabesueshme në çerek të tretë, posaçërisht Simmons dhe në fund një top i borës u bë ortek,” ka thënë James pas ndeshjes.
Dhe, derisa James përfundoi ndeshjen me 25 pikë, 10 kërcime e 5 asistime, tre lojtarë tjerë të Clevelandit shënuan nga 12 pikë (Tristan Thompson, JR Smith dhe Jeff Green) që nuk mjaftuan në fund.
E Orlando Magic me Jonathon Simmonsin lider sot, ka shënuar fitoren e 17-të të stinorit. Simmons përfundoi ndeshjen me 34 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. Evan Fournier shtoi 19 pikë e gjashtë kërcime, kurse Bismack Biyombo shtoi 11 pikë e tetë kërcime në fitore.
Pas kësaj ndeshjeje, Cleveland Cavaliers, ka bilanc 30-22, ndërsa Orlando Magic përmirëson bilancin me 17-36.