FBK
FBK - Liga e Parë: Palestra të lidhura me FIBA
Teksti: FBK
2 June, 2021 @14:24
Me ftesë të Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu sot në zyrat e Federatës janë takuar krerët e lartë të FBK-së me përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë të Meshkujve.
Në këtë takim krahas Kryetarit Fetahu kanë marrë pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Komesari i Garave, Faton Kurshumlija, si dhe përfaqësuesit e gjitha klubeve të Ligës së Parë të Meshkujve.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë që FBK së bashku me klubet e Ligës së Parë të bëhet një përmbledhje për edicionin që sapo ka përfunduar dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në edicionin e ardhshëm.
Kryetari Fetahu së pari i ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e klubeve për punën e bërë në edicionin e kaluar, për angazhimin dhe mobilizimin në një vit pandemie dhe se të gjithë së bashku ia kanë dal që t’i përballojnë shumë vështirësi.
Numri një i FBK-së i njoftoi përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë se një Grup i Punës i emëruar nga Bordi i FBK-së kanë punuar në hartimin e draft kritereve për licencim dhe garim të klubeve që nga edicioni i ardhshëm, si dhe të njëjtat pritet të jenë pjesë e Rregullores për Licencim të Klubeve për edicionin 2021/22.
Kryetari Fetahu para përfaqësuesve të klubeve ka folur edhe për rëndësinë e zhvillimit të Ligës së Parë të Meshkujve, të cilën ka thënë se duhet ta cilësojmë si ligë zhvillimore dhe si të tillë edhe duhet ta përforcojmë sa më shumë duke punuar të gjithë së bashku në këtë drejtim.
Për këtë arsye Fetahu ka theksuar se janë duke punuar maksimalisht për të siguruar një sponsor për Ligën e Parë të Meshkujve që do ti mbulonte shpenzimet e personave zyrtarë të ndeshjeve. Ai në vazhdim e ka përmendur edhe partneritetin e lidhur me “Synergy Sports” për të transformuar palestrat e basketbollit në Kosovë në “Palestra të Lidhura me FIBA-n”, partneritet që do t’i sigurojë FBK-së zgjidhje të përparuara dhe të automatizuara për të xhiruar dhe prodhuar transmetime të drejtpërdrejta me cilësi të lartë për garat e basketbollit në të dyja konkurrencat, meshkujve dhe femrave. Krerët e FBK-së dhe zyrtarët e klubeve kanë diskutuar edhe për kalendarin e garave të edicionit të ri, numrin e lojtarëve të rinj vendorë, për lojtarët e huaj dhe afatet kohore për paraqitje.
Përfaqësuesit e klubeve e falënderuan Kryetarin Fetahu për ftesën dhe për përkrahjen, si dhe u zotuan se do të bashkëpunojnë ngushtë për të zhvilluar Ligën e Parë të Meshkujve.
Të premten krerët e FBK-së do ti presin në takim përfaqësuesit e klubeve të EBC Ligës së Femrave, për të vazhduar më pas edhe me ligat e tjera.