PËRFAQËSUESET E FEMRAVE
Femrat për herë të parë në garat ndërkombëtare
1 July, 2016 @22:32
Përfaqësuesja e femrave në grupmoshat U16 dhe U18, do të garojnë për herë të parë në arenën ndërkombëtare.
Sikurse vashat nën moshën 16 vjeç, edhe ato të moshës nën 18 vjeç do të luajnë në Kampionatin Europian të Divizionit C.
Përzgjedhësi i përfaqësueses U16 të femrave, Fidan Shatri, ka thënë se qëllimi i skuadrës është të tregojnë basketboll cilësor.
“Momentalisht në skuadër i kemi 15 vajza të moshës 12, 13, 14 dhe 15 vjeçe. Bëhet fjalë për një grup të vajzave të reja që e duan basketbollin dhe që ju është dhënë rasti të luftojnë për një vend në Përfaqësuese të Kosovës të grupmoshës U-16. Ne jemi me të vërtetë të kënaqur me punën që po e bëjnë vajzat, sepse ato premtojnë shumë. Ne tani e kemi për detyrë që në Andorra të luajmë basketboll cilësor dhe të arrijmë të shënojmë disa fitore, që do të ishin një motivim i madh për këto basketbolliste të reja,” tha Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndërsa përzgjedhësi i përfaqësueses U18 të femrave, Chris Dial, u shpreh i kënaqur me punën e treguar deri më tani gjatë fazës përgatitore.
“Vajzat kanë punuar mirë dhe me intensitet të lartë, ku shumica prej tyre edhe nuk janë mësuar në këtë ritëm. Megjithatë ato janë duke bërë një punë të mirë për çka ne trajnerët i përgëzojmë. Të dielën do të kemi rast të luajmë ndeshje miqësore me Maqedoninë dhe aty do të shohim se si mund t’ia dalim me skuadra të forta siç është ekipi kombëtar i Maqedonisë. Për ne është e rëndësishmë që të luajmë bashkë dhe të tregojmë se dimë të luajmë mbrojtje të fortë dhe sulm të mençur. Të njëjtën gjë synojmë ta bëjmë edhe në Kampionatin Evropian. Për vajza do të jetë një emocion i madh pasi që kjo është hera e parë që Kosova prezantohet në basketbollin femëror në gara të FIBA-s. Megjithatë unë besoj se do të arrijmë t’i menaxhojmë emocionet dhe do të hyjmë në ndeshje për të fituar. Ne si ekip kemi mentalitet fituesi, andaj hyjmë në çdo ndeshje për të luajtur mirë dhe në fund për të nxjerr rezultat pozitiv. Kundërshtarët tanë po ashtu janë shumë të fortë, por ne besojmë në forcën e skuadrës tonë,” tha ai, transmeton faqja zyrtare e FBK-së.
Kosova U16 do të garojë në grup së bashku me Uellsin dhe Maltën, ndërsa ajo U18 do të jetë në një grup me Maltën, Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin.
Europiani për grupmoshat nën 16 vjeç mbahet në Andorrë në datat 18-23 korrik, kurse Europiani për grupmoshat nën 18 vjeç në Tbilis të Gjeorgjisë gjatë datave 8-13 korrik.