FERIZAJI MERR PIKË NË GJILAN

Ferizaji nis “kapjen” e pikëve nga mëdhenjtë
11 February, 2023 @19:15
Pas përgatitjeve dhe përforcimeve të bëra gjatë afatit kalimtar dimëror, Ferizaji ka nisur pranverën mirë, duke kapur pikë që në ndeshjen e parë dhe të vështirë, ndaj Gjilanit.
Dueli përfundoi Gjilani 0-0 Ferizaji, mirëpo për ferizajasit e drejtuar nga Andrej Panadic kjo është pikë e madhe për shkak se dëshirojnë të dalin nga fundi i renditjes tabelare. E këtë në fund e arritën, karshi Gjilanit të rikthyer në gara pas infuzionit financiar nga kryetari i dorëhequr në fillim të stinorit.
Raste jo shumë konkrete, por Gjilani kërkoi golin shumë më shumë, derisa thuajse në secilin akcion Albert Dabiqaj ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndeshjen e përfunduan me nga 10 lojtarë të dyja ekipet, ku pas një faulimi të Besar Musollit, një kacafytje e lehtë bëri që edhe Musolli edhe Behar Bardhi të ndëshkohen me karton të kuq.
Në fund, 0-0 shumë më shumë i konvenoi Ferizajit, që nuk bëri asnjë rast konkret, por u tregua “guri” në mbrojtje për të siguruar pikë ndaj “skifterave” që dominuan ndeshjen.
Barazimi bën që Gjilani të dalë në pozitë të tretë me pikën e fituar me 28 pikë nga 19 ndeshje, ndërsa Ferizaji i fundit në renditje në pozitë të dhjetë, me 19 ndeshje tash ka 14 pikë.