PRISHTINA E RE - FERONIKELI
Feronikeli vazhdoi aty ku mbeti
27 January, 2019 @16:20
Skuadra e vetme pa humbje në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, Feronikeli, serinë e fitoreve e vazhdoi edhe në pjesën e dytë të stinorit.
Në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Nikli e mposhti Prishtinën e Re me rezultat 79-113.
Gjashtë lojtarë arritën të shënojnë pikë dyshifrore te skuadra nga Drenasi, derisa prej tyre u dalluan Arti Hajdari me 24 pikë, Beqë Kovaçi me 21 pikë, i riu Don Polloshka me 16 pikë, derisa Mustafë Merovci ishte i vetmi që luajti me double-double prej 14 pikëve e 14 kërcimeve.
Te Prishtina e Re, Kayden Anderson dhe Luftim Cikaqi, luajtën me nga 18 pikë secili, por nuk mjaftoi për fitore.
Kjo ishte fitorja e 10 e Feronikelit po në aq ndeshje të zhvilluara, derisa për Prishtinën e Re kjo ishte humbja e gjashtë e stinorit.