NGA KONFERENCA
FIBA pranon projektin me 2813 ulëse, nëse bëhet para 2 nëntorit
21 September, 2017 @14:51
Këshilltari i Sekretarit Gjeneral të FIBAs, Lubomir Kotleba, në konferencën për shtyp sot në zyret e FBK-së, pas inspektimit të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve ka thënë se FIBA do të pranojë projektin e paraqitur me 2813 ulëse për të lejuar që Kosova ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019” t’i zhvillojë si vendas.
2813 ulëse + ndriçimi = leja për lojë si vendas - LUBOMIR KOTLEBA
Kotleba ka treguar se kapaciteti aktual prej 2 mijë 100 ulëseve është i papranueshëm për të zhvilluar ndeshjet e këtij niveli.
DEKLARATA E KOTLEBAS
“Ideja e FIBA-s është që palestrat ku do të luhen ndeshjet për kualifikime të jenë të njëjta, do të thotë fusha të duket e njëjtë, si dhe kapaciteti të jetë prej 3,000 ulëse. Në platformë, ju e keni paraqitur kapacitetin prej 2,100 ulëseve dhe kjo nuk është e mjaftueshme dhe e pranushme për FIBA-n. Në vizitën inspektuese të bërë të mërkurën na është paraqitur projekti nga Ministria e Sportit me 2813 ulëse, dhe nëse kjo realizohet, atëherë FIBA do ta pranoj së bashku me përmirësimin e ndriçimit, dhe disa gjërave të tjera më të vogla. Por e tërë kjo punë duhet të kryhet jo më larg se tri javë përpara ndeshjes së parë, që do të thotë ju do të luani me Lituaninë më 23 Nëntor dhe punimet në palestër duhet të përfundojnë më së largu deri më 2 Nëntor dhe e tërë kjo duhet të dëshmohet në FIBA,” ka thënë ndër të tjera Kotleba në konferencën e sotme për shtyp, ku bashkë me te ka qenë edhe kreu i FBK-së, Erolld Belegu, që ka thënë se mban shpresë dhe beson që gjithçka do të shkojë sipas premtimeve të bëra nga Departamenti i Sportit pranë Ministrisë përkatëse ashtu që Kosova t’i zhvillojë ndeshjet si vendas.
FAZAT KUALIFIKUESE
Kosova ka bërë kualifikim historik prej fazës parakualifikuese në atë kualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019”, duke mposhtur Maqedoninë dhe Estoninë si vendas.
Tash, në fazën kualifikuese Kosova është në grup me kundërshtarë që kanë qenë pjesë e Eurobasket 2017, si Polonia, Lituania dhe Hungaria.
Tre të parat nga Grupi C i Kosovës kalojnë në fazën e mëtejshme kualifikuese për Kupë të Botës.