TREPÇA - PRIZRENI
Fitore dramatike, Prizreni triumfon në “Minatori”
10 March, 2019 @18:34
Një ndeshje tejet interesante që arsyetoi vlerësimin si derbi i ditës në Superligë është zhvilluar sonte në Minatori të Mitrovicës, derisa Prizreni ka arritur fitore në fund të ndeshjes ndaj Trepçës.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati me pikët e Qëndrim Ajazajt dhe Malcolm Canadas ka arritur që të fitojë 79-81 [20-25, 14-12, 22-26 dhe 23-18] në Minatorin e nxehtë, ndërsa treshja e Aaron Andersonit të vendasve për 79-80 çoi 34 sekondat e fundit të ndeshjes në dramë.
Malcolm Canada ka qenë më efikasi te Prizreni me 27 pikë, 4 asistime e 4 kërcime, derisa më i vlefshmi është treguar të jetë Urim Zenelaj që kreu ndeshjen me 8 pikë, 18 kërcime, 2 asistime e 3 bllokada.
Në anën tjetër te Trepça mundi i jashtëzakonshëm i Aaron Andersonit shkoi huq. Anderson kreu ndeshjen me 29 pikë, 7 asistime e 2 topa të rrëmbyer. Përveç tij vetëm edhe Samir Zekiqi luajti me pikë dyshifrore duke shënuar 16 pikë e 5 kërcime.
Me këtë fitore, Prizreni tash kap vendin e katërt në klasifikim me bilanc neutral 10-10, derisa Trepça ka pësuar për të 11-tën herë krahas 9 fitoreve që i ka.