SHQIP NË BOTË
Vazhdojnë paraqitjet e mira nga Edon Maxhuni
7 March, 2019 @19:35
Edhe një sezon i shkëlqyeshëm për Edon Maxhunin me kolegjin e Long Beach State në SHBA!
Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë ndaj skuadrës UC Riverside, Edoni ishte një nga më meritorët për fitoren e Long Beach State.
Për 24 minuta sa ishte në parket, Edoni arriti të shënojë 21 pikë (5 trepikësha), ndërkohë që dhuroi edhe një asist dhe pati një top të vjedhur.
7 nga 21 pikët e Edonit erdhën në fundin e pjesës së parë, një seri e pikëve kjo që ia riktheu epërsinë skuadrës së Long Beach Statet, për t’ia mbajtur gjallë shpresat për Play Off-in që dërgon më pas në “March Madness”, fazën më interesante të sezonit.
Long Beach State renditet i pesti në “Big West Conference”, ndërsa nëse arrin në Play Off do të ndeshet me Hawaiin ose Santa Barbaran, me njërin prej të cilëve do t’i duhet të luftojë për ta arritur fazën “March Madness”.
Sa i përket sezonit të rregullt në përgjithësi, Edoni e mbyll këtë sezon si koshashënuesi i tretë më i mirë i skuadrës së tij, ndërkohë që ka 42% efikasitet për 3 pikë (lojtari i tretë më i mirë në Big West Conference sa i përket gjuajtjeve për 3 pikë), 38% për 2 pikë dhe 92% në gjuajtjet e lira.
Në videon e mëposhtme mund t’i ndiqni momentet më të mira nga ndeshja që Long Beach State e zhvilloi mbrëmë.